Në Komunën e Ferizajt sot janë paraqitur edhe 21 raste të reja me koronavirus.
Ndër të infektuarit janë edhe drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bekim Ademi.
Këtë lajm e ka konfirmuar për RTV Dukagjinin vet drejtori Ademi e cili ka njoftuar edhe për një numër tjerë zyrtarësh komunal që janë infektuar me koronavirus.
“Infektimi im ka ardhur si pasojë e kontakteve që kemi pasur me kolegun e infektuar para dy ditësh. Janë infektuar edhe një pjesë e stafit të kryetarit Aliu, drejtori i Financave, Administratës, Zëdhënësi i Komunës, Nënkryetari i Komunës, Drejtori i Pronës ai i Zhvillimit Ekonomik. Që të gjithë jemi pozitiv me COVID-19”, tha ai.
Ademi thotë se ditën e premte është konfirmuar pozitiv me COVID-19 drejtori i Infrastrukturës dhe që nga ajo dite drejtorët tjerë kanë qenë në vet izolim deri në dalje të rezultateve.
Drejtori i Shëndetësisë thotë se për momentin nuk ka simptoma tjera pos një djersitje të tepërt.