Shqipëria pëson nga Italia

Shqipëria ka pësuar humbje me rezultat 2-1 ndaj Italisë në ndeshjen hapëse të tyre në Kampionatin Evropian, e vlefshme për grupin B.

Kuqezinjtë ishin të parët që kaluan në avantazh teksa arritën të shënojnë me anë të Nedim Bajramit për rezultatin 1-0 pas 23 sekondave lojë.

Italia u kundërpërgjigj menjëherë duke barazuar rezultatin në 1-1 me anë të Alessandro Bastonit i cili shënoi me kokë pas krosimit të Lorenzo Pellegrinit.

“Azurrët” arritën të gjejnë golin sërish kësaj radhe me anë të Nicolo Barellas i cili në minutën e 16-të me një goditje nga jashtë zonës shënoi për rezultatin 2-1.

Shqipëria ishte farë pranë pësimit të golit të tretë në minutën e 32-të, por goditjen e Davide Frattesit me maje të gishtave e priti Thomas Strakosha.

Një tjetër rast Italia e pati në minutën e 39-të me anë të Gianluca Scamaccas, por sërish Strakosha intervenoi duke mos lejuar të mposhtet.

Në pjesën e dytë Italia nuk arriti që të rrezikojë më seriozisht portën e Shqipërisë, ndërsa kuqezinjtë patën një mundësi të artë shënimi.

I inkuadruari në pjesën e dytë, Rey Manaj, pati një rast shumë të mirë për të barazuar shifrat në minutën e 89-të, por Donnarumma ia mohoi golin.

Ndeshjen e ardhshme Shqipëria do ta luajë ditën e mërkurë ndaj Kroacisë, ndërsa Italia do të ketë punë me Spanjën./Telegrafi/