Shqipëria nga sot nis testimet e shpejta për COVID-19

Në Shqipëri nga sot do të nisin edhe testimet e shpejta për koronavirus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministrja përmes një postimi në “Facebook”, ndër të tjera, theksoi se janë 100 mijë teste të shpejta në dispozicion dhe shumë shpejt do të hapën disa pika në Tiranë e në qytete të tjera.

“Nga sot ekipet e epidemiologëve të terrenit do të kryejnë edhe testet e shpejta, përveç testimit me metodën PCR, duke rritur qasjen për qytetarët për testimin në #kohë dhe të #sigurt. 100.000 teste të shpejta të siguruara dhe do të vijojmë të rrisim kapacitetet me të dy metodat e testimit. Së shpejti hapen disa pika në Tiranë dhe në qytetet e tjera për testimin me rezervim pranë mjekut të familjes”, shkruan Manastirliu në postimin e saj.