Shqipëria ka mposhtur 1-0 Hungarinë në përballjen e zhvilluar në Grupin I në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Kjo fitore ka ringjallur shpresat e Shqipërisë për të ëndërruar kualifikimin në kampionatin botëror me Anglinë që po e kryeson grupin.
Kuqezinjtë ishin ata që e filluan më mirë takimin, duke rrezikuar me anë të Berat Gjimshiti, por që harkimi i tij nga gjuajtja e lirë u bllokua.
Tanët më pas tentuan nga disa goditje prej këndit, mirëpo shtylla dhe portieri i mysafirëve, ndaluan topin të futej në rrjetë.
Më pas Hungaria doli përpara me anë të Kleinheisler, por Etrit Berisha ishte i vëmendshëm dhe kapi topin.
Në minutën e 26-të, gjyqtari nuk akordoi penallti për Shqipërinë, pasi Bekim Balaj u rrëzua në zonë nga Gulacsi, mirëpo ishte faul në këtë të fundit.
Në 45 minutat e dytë, Edy Reja bëri një zëvendësim, duke e larguar Lorenc Trashin dhe inkuadroi Odise Roshin.
Sërish ishin tanët që kërkuan më shumë përpara, mirëpo u mungoi konkretizimi, por që merita i kishte edhe portieri hungarez.
Në minutat në vazhdim në lojë u inkuadruan edhe Qazim Laçi, Edri Çekiçi, Armando Broja e Erjon Hoxhallari.
Anëtari i Chelseat bëri efektin e menjëhershëm, duke shënuar golin e fitores në minutën e 87-të, e për t’i mbajtur gjallë shpresat e Shqipërisë për kualifikim.
Gjendja në Grupin I është se Anglia ka 15 pikë, Shqipëria ka nëntë, Polonia e Hungaria me shtatë, Andorra me tre dhe San Marino ende pa pikë.