Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përkushtuar të mërkurën që shteti i tij të punojë për avancimin e drejtësisë dhe paqes me rastin e kryesimit të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Angazhimi i parë i Shqipërisë si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë thirrja e këtij trupi më 2 qershor për të diskutuar për “forcimin e llogaridhënies dhe shkeljet e të drejtës ndërkombëtare”.
“Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”, tha Rama.
Shqipëria merr kryesimin e OKB-së në njërën nga periudhat më të vështira gjeopolitike.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, kriza e refugjatëve e shkaktuar nga lufta, kërcënimet e vazhdueshme ruse ndaj aleatëve të NATO-s, zgjerimi i mëtejme i Aleancës ushtarake pro-perëndimore, sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe varësia evropiane ndaj gazit rus e kanë dominuar agjendën ndërkombëtare në muajt e fundit.
“Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë evropiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta”, u shpreh Rama.
Nga 1 qershori, për një muaj, Shqipëria do ta kryesojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kjo është hera e parë që vendi merr një rol të tillë në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që u përzgjodh që të jetë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë vit.