Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të ndërmarrë masa të reja për të frenuar përhapjen se koronavirusit në vendin tonë.
Konkretisht është vendosur ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
Po ashtu Komiteti Teknik i ekspertëve ka vendosur ndalimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.
Një ditë më parë në të gjithë vendin tonë u konfirmuan 1239 persona të infektuar, ky një rekord që nga fillimi i pandemisë dhe 16 humbje jete. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është shprehur se ka dyshime të forta se në vendin tonë kanë hyrë variantet e reja të koronavirusit, kjo shpjegon sipas saj edhe shtimin e infektimeve në vendin tonë./TCh