Shqipëria mori pikë shumë të rëndësishme të enjten mbrëma në Pragë. Kuqezinjtë luajtën 1:1 me Çekinë në kuadër të Grupit E të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Barazimi në udhëtim me favoriten e grupit është rezultat shumë pozitiv për Shqipërinë. Çekët kanë dominuar në fushën e lojës, por supergoli i Nedim Bajramit solli pikën e madhe për Shqipërinë.
Në minutën e 66-të, Jasir Asani preku topin lehtë duke e larguar nga lojtari çek. Topi shkoi te Nedim Bajrami që bëri disa hapa anash para se të “lansojë” goditjen e magjishme. Ai shënoi për 1:1 me goditje nga rreth 25 metra largësi.
Çekia kaloi në epërsi në minutën e 56-të. Pas një vendosjeje të gabuar të mbrojtjes së Shqipërisë, topi erdhi te Vaclav Çerny në zonë. Ai goditi saktë për 1:0. Goli fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por u pranua pas rishikimit të situatës në VAR. Më herët një gol i çekëve u anulua pas rishikimit të VAR-it.
Pas barazimit të rezultatit, Etrit Berisha bëri pritje vendimtare, ndërsa një kundërsulm i kuqezinjve nuk u shfrytëzua si duhet. Mirlind Daku ishte në kundërsulm, ndërsa në një situatë tre kundër një bëri zgjedhjen e gabuar – pasimin jo të saktë për Arbnor Mujën. Daku e Muja debutuan te Shqipëria.
Në përgjithësi çekët kanë krijuar më shumë, por Shqipëria mori pikën e madhe që e mban fuqishëm në garë për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm.
“Goli më i bukur në karrierën time dhe jam i lumtur që i ndihmova skuadrës. Duhet të vazhdojmë kështu, kemi ndeshjen të dielën dhe duhet të lëmë shpirtin në fushë. Kemi shumë kualitet, por duhet të shfrytëzojmë rastet që kemi. Tani duhet të përmirësojmë atë që kemi bërë keq. Duhet të vazhdojmë, të përmirësojmë atë që nuk kemi bërë shumë mirë. Të dielën duhet t’i shfrytëzojmë rastet sa më shpejt. Jam i lumtur, skuadra ka luajtur shumë mirë. Unë jam i lumtur me pozitën pas sulmuesit kryesor”, ka thënë Bajrami. Ai ka festuar me babanë pas golit.
“Kam shumë vetëbesim me Sylvinhon dhe duhet të vazhdoj kështu, që ta ndihmoj skuadrën. Festova golin me babanë dhe i thashë se e dua shumë. Shpresoj të shënoj edhe ndaj Polonisë”.
Pas katër ndeshjeve të luajtura Shqipëria është e dyta me shtatë pikë. Çekia udhëheq me tetë pikë. Polonia renditet e treta me gjashtë pikë, e më pas është Moldavia me pesë dhe Ishujt Faroe me një pikë.
Të dielën, Shqipëria e pret Poloninë në Tiranë në ndeshjen që mund të vendosë shumëçka. Në tetor, Shqipëria e pret edhe Çekinë. Pra, është në situatë të favorshme, falë edhe supergolit të Nedim Bajramit.
“Sigurisht që jemi gjithë të lumtur për këtë pikë. Jemi edhe të lodhur, pasi dhamë gjithçka në fushë. Nuk ka qenë ndeshja jonë më e bukur, por ishte ajo që kemi përgatitur. Kemi luajtur me duele. Me pak më shumë fat kemi mundur të luajmë edhe më mirë. Por mendoj se barazimi është në rregull. Situata që solli golin e Çekisë nuk duhet të ndodhë. Duhet të përmirësojmë disa gjëra, sidomos pasi pranojmë gol”, ka thënë Berat Gjimshiti, që ishte kapiten i Kombëtares shqiptare. I kënaqur është shprehur edhe portieri Etrit Berisha.
“Grupi është jashtëzakonisht i mirë. Jemi duke bërë punë shumë të mirë. Kemi mësuar shumë nga vitet e kaluara. Ishim në një pikë jo aq të mirë dhe gjëja kryesore ishte të formojmë një grup edhe më të fortë. Tani kemi më kualitet se ciklin e kaluar dhe si grup jemi edhe më të fortë”, ka thënë Berisha.
Shqipërinë e pret fazë e shkurtër rikuperimi para ndeshjes tjetër vendimtare, asaj ndaj Polonisë në Tiranë.