Shqipëri: Katër të vdekur dhe 120 raste me koronavirus në 24 orët e fundit

Katër viktima kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë. Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, një 58 vjeçare nga Kurbini dhe një dhe një 71 vjeçare nga Lushnja me disa sëmundje bashkëshoqëruese, një 61 vjeçar nga Durrësi dhe një 67 vjeçar nga Fieri.

Në 24 orët e fundit, janë kryer 510 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 120 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 57 raste në Tiranë, 15 në Durrës, 8 në Kavajë, 7 në Krujë, 6 në Elbasan, 5 në Korçë, nga 4 raste në Kurbin, Pogradec, nga 3 raste në Lushnje, Tropojë, nga 2 raste në Shkodër, Tepelenë, nga 1 rast në Vlorë, Divjakë, Belsh, Prrenjas.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 119 pacientë, 18 janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 9 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2961, që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes dhe të zbatojmë me rigorozitet masat e vendosura, sepse virusi është ende mes nesh.

Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19.