Në rrugën “Asllan Pireva” në Prishtinë kanë shpërthyer dy mjete shpërthyese, sonte rreth orës 22:00, duke mos shkaktuar pasoja në njerëz përveç dëmeve materiale
Këtë për klankosova.tv e bëri të ditur Agron Borovci, zëdhënës për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
“Menjëherë pas marrjes së kësaj informate policia ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, të sigurisë si dhe ato hetimore-ekzaminuese”.
“Informacionet e para flasin për shpërthimin e dy mjeteve shpërthyese të cilat fatmirësisht nuk kanë shkaktuar pasoja në njerëz përveç dëmeve materiale”.
“Aktualisht të gjitha njësitë e nevojshme policore për të menaxhuar me situatën dhe hetuar rrethanat e rastit janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e duhura policore”, ka thënë Borovci.
Klan Kosova nga burimet e saj ka mësuar se me mjete shpërthyese është gjuajtur një hotel që gjendet në atë zonë.