Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se dialogu Kosovë-Serbi është një ndër proceset më të rëndësishme të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe avancimin e orientimit të saj euro-atlantik.
Në njoftim thuhet se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si një proces afatgjatë, që shkon përtej arritjes së marrëveshjeve në mes palëve, kërkon ndërtimin e konsensusit politik dhe atij shoqëror, si pikënisje drejt arritjes së çfarëdo rezultati në këtë drejtim.
“Përkundër rifillimit të këtij procesi nën një mandat të ri të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, dhe me përfshirjen direkte të SHBA-ve, mungesa e transparencës, llogaridhënies dhe konsensusit politik vazhdon të karakterizojë të njëjtin. Në kuadër të zhvillimeve aktuale dhe atyre që priten në të ardhmen, një rol i koordinuar, i harmonizuar dhe i përbashkët i përfaqësuesve të shoqërisë civile, mbetet i rëndësishëm për të shërbyer si katalizator të procesit. Njëkohësisht, një avokim i përbashkët brenda dhe jashtë vendit, përmes veprimeve që synojnë ndikim pozitiv në proces të dialogut, është më se i nevojshëm”, thuhet në komunikatë.
Për këtë përfaqësuesit e shoqërisë civile vendosin të krijojnë një platformë të përbashkët të bashkëveprimit dhe koordinimit të OJQ-ve në Kosovë, të cilat kanë zhvilluar dhe zhvillojnë ekspertizë në fushën e dialogut Kosovë-Serbi.
“Me qëllim të promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes, përfaqësuesit e shoqërisë civile synojnë të ushtrojnë një rol më proaktiv dhe të organizuar, duke u kthyer në faktor më me ndikim në procesin e dialogut dhe atë të normalizimit. Duke synuar paanshmëri në proces, anëtarët e kësaj Platforme kanë për qëllim të kontribuojnë në proces, me anë të veprimeve të përbashkëta, mbi bazën e ekspertizës së tyre, por duke mos u bërë pjesë e ekipeve politike në kuadër të dialogut. Anëtarët nënshkrues synojnë të promovojnë një dialog publik të strukturuar dhe konstruktiv lidhur me procesin e dialogut dhe temat që ndërlidhen me të. Përbrenda funksionimit të Platformës, ato synojnë afrimin dhe njoftimin e qytetarit me procesin e dialogut, duke avokuar për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve e palëve të tjera të interesit në këtë proces me akterë të brendshëm dhe ndërkombëtar”, thuhet më tej.
Organizatat themeluese të Platformës: Demokracia për Zhvillim (D4D); Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS); Fondi për të Drejtën Humanitare (HLC); Iniciativa e Re Sociale (NSI); Instituti Demokratik i Kosovës (KDI); Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS); Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillimeve të Politikave (KIPRED); Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR); OJQ ‘Aktiv’; OJQ Mundësia (MDA); Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK); S’BUNKER; Donika Emini.