Shoqata e Transportit: Disa kompani të autobusëve janë në falimentim, rritja e çmimeve e pashmangshme

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ka deklaruar se i përkrah operatorët e sektorit të transportit rrugor për ngritjen e çmimit të biletave të autobusit.

Ai theksoi se deri te ngritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e krizë ekonomike dhe ngritjes së çmimit të naftës.

“Që nga gushti operatoret funksionojnë vetëm me 50 për qind të hapësirës. Si pasojë e këtyre arsyeve është bërë edhe rritja e çmimeve, për të cilën unë pajtohem plotësisht. Sektori i transportit është sektori më i dëmtuar, pasi është folur edhe për falimentimin e disa kompanive të transportit për shkak të gjendjes së krijuar”, tha Kurtishaj për KTV-në.

Ai deklaroi se në këtë sektor janë rreth 6 mijë të punësuar, dhe se këto biznese nuk po kërkojnë asgjë pos të mbijetojnë.

Kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Financave që të takohemi dhe të diskutojmë për mbijetesën e operatoreve. Duhet diskutuar për mbijetesën e jo për rritjen e çmimit të biletave. Rritja e çmimeve do të jetë e pashmangshme, për shkak të rritjes së çmimit të naftës.”

Ai ka folur edhe për protestën që ishte mbajtur marsin e këtij viti nga kompanitë e autobusëve për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së Qeverisë, derisa shtoi se protestat janë pezulluar, mirëpo nuk të mbahen përsëri në rast nevoje.

“Kosova s’ka asnjë lloj të transportit përpos ai me autobusë. Për ne është prioritet t’i shërbejmë qytetarët. Duhet bërë avancimi i sektorit publiko-privat. Jemi në situatë jashtëzakonisht të keqe”, shtoi ai.