Shkuan në ekskursion, nxënësit e shkollës “Faik Konica” nga Prishtina dëmtuan shpellën e Kusarit në Gjakovë


Nxënësit e shkollës “Faik Konica”, në Prishtinë, gjatë ekskursionit ditë më parë, dëmtuan “Shpellën e Kusarit” në Gjakovë, duke vizatuar e grafite të ndryshme.

Drejtoria e Arsimit në Gjakovë ka njoftuar se Pajtesa Doli mësimdhënëse në këtë shkollë, përmes një emaili i kishte njoftuar se ishin pikërisht nxënësit e kësaj shkolle ata që e kishin dëmtuar këtë shpellë, duke vizatuar grafitë, aty dhe në objektet përreth.

“Jam Pajtesa Doli, mësimdhënëse në SHFMU “Faik Konica”.  Kemi qenë në vizitë në Shpellën e Kusarëve në Gjakovë. Çdo gjë po shkonte mirë. Kur erdhi koha që të niseshim, vërej që mungon njëri nxënës. Nxitova menjëherë për ta gjetur. Ai ishte larguar që të bënte fotografi. Në ato momente me kaploi një shqetësim i madh, gjë që nuk e kam vënë re se ka pasur dëme (përreth). Por, ditën e premte, pashë (në rrjete sociale, medie) që po qarkullonin foto dhe se ata ishin fëmijët tanë. Për më shumë (detaje, sqarime), do të doja të takohesha me ju, nëse është e mundur, ditën e hënë. Ju kërkoj falje në emrin tim, të fëmijëve dhe të prindërve të tyre”, thuhet në letrën elektronike të Dolit, drejtuar Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë.

Në një përgjigje për Telegrafin, udhëheqësi i zyrës për Informim në polici nga komuna e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se persona të panjohur deri më tani, kishin dëmtuar pankartat me njoftime rreth shpellës dhe objeket që ndodhen në afërsi të shpellës.

“Stacioni Policor-Gjakovë ka pranuar informacion se me datën 01.06.2022 rreth orës 16:00 në vendin “Shpella e Kusarit” nga persona deri tani të panjohur, ishin dëmtuar pankartat të cilat shërbejnë për njoftim rreth shpellës si dhe shtëpizat që ndodhen në afërsi e të cilat shërbejnë për shitjet e biletave. Dëmtimet janë  kryesisht shkrime me ngjyrë (sprej) nëpër këto objekte”, deklaron Elezaj.

Po ashtu i njëjti tha se në konsultim e prokurorin rasti është duke u hetuar.

“Në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rast, “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë publike”.  Rasti është duke vazhduar me hetime”, tha ai.