SHKK dhe Organizata Gjermane “Help” vazhdojnë bashkëpunimin

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi  ka pritur në takim Shqipe Breznicën, drejtoreshë e Organizatës Gjermane “Help” në Kosovë, me të cilën ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja është vazhdimësi e bashkëpunimit të  më hershëm të të dyja palëve dhe është pjesë e Projektit “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor 2021-2022”, të përkrahur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë Gjermane dhe zbatuar nga “Help”.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim  fuqizimin e grupeve të rrezikuara në sferën ekonomike dhe atë sociale, si dhe ofrimin e mundësive për përfshirje në jetën shoqërore pas përfundimit të dënimit.

Po ashtu, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe “Help” do të bashkëpunojnë në ngritjen e kapaciteteve humane përmes ofrimit të trajnimeve të ndryshme dhe themelimin e punëtorive në përkrahje të rehabilitimit dhe ri-socializimit të personave, të cilët janë në konflikt me ligjin.