Shkëndije Himaj është kandidatja më e vlerësuar nga Ambasada britanike në intervistën e realizuar në kuadër të pozitës për guvernatore të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kështu thuhet në dokumentin e siguruar nga Telegrafi, ku thuhet se Himaj ka marrë 32 pikë nga 40 pikët e mundshme.
Katër pikë më pak ka marrë kandidati Ahmet Ismaili, pra 28 pikë, në vend të tretë është Nexhat Kryeziu me 27.5 pikë.
Kandidati Genc Rraci është vlerësuar me 24.5 pikë, e që pas tij vjen Lulzim Ismajli me 24 pikë, ndërsa më pak pikë ka marr guvernatori aktual Fehmi Mehmeti, pra 23.5 pikë.
Komisioni vlerësues ishte i përbërë nga Flamur Mrasori, Nora Latifi – Jashari dhe Bashkim Nurboja.
Himaj ka 25 vjet përvojë pune në Kanada dhe Kosovë, prej të cilave 18 vjetë në BQK, duke mbajtur pozita të larta dhe bartëse e disa proceseve për BQK-në dhe institucioneve të tjera të sektorit financiar në vend. Ka qenë ligjëruese dhe është doktorante në Universitetin e Lubjanës në Departamentin e Bankave dhe Financave.Reklama
Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e guvernatorit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka përcaktuar listën e ngushtë të kandidatëve për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës.
Sipas njoftimit të BQK-së, Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu dhe Lulzim Ismajli janë ata që do ta pretendojnë pozitën e guvernatorit.
“Mbështetur në Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, si dhe në kriteret e përcaktuara në konkursin për plotësimin e pozitës së guvernatorit/es të Bankës Qendrore të Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën si më sipër, ka përcaktuar listën e kandidatëve për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës, si në vijim: Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Shkëndije Himaj”, njofton BQK-ja, përcjell Telegrafi.
“Pas përfundimit të veprimeve procedurale të parapara me aktet juridike në fuqi lidhur me kandidatët e cekur më lartë, propozimi (lista e kandidatëve) do të procedohet sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës”, thekson njoftimi.Reklama
Kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.
Sipas shpalljes që ishte bërë nga BQK-ja, emërimi do të jetë për një mandat pesë vjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.