Një grup neuroshkencëtarësh ndërkombëtarë do të merret me studimin se si bota po fle, apo po dështon të flejë, gjatë pandemisë së koronavirusit, që ka ndalur punën dhe jetën e njerëzve.
Gjumi është kyç për shëndetin fizik dhe mendor, për rigjenerim të qelizave, imunitet, memorie e për rregullim të disponimit dhe emocioneve. Me shumë njerëz që kanë raportuar probleme me gjumë për shkak të koronavirusit – përfshirë vështirësitë për të fjetur, problemet e të qëndruarit zgjuar dhe ankthet – projekti i udhëhequr nga ekspertët e Universitetit të Oksfordit në Britani të Madhe, do të hetojë ndikimin e këtyre problemeve në shëndetin e njeriut.
Studimi për gjumin do të kombinojë hulumtime nga Austria, Kanadaja, Kina, Finlanda, Franca, Gjermania, Hong Kongu, Japonia, Norvegjia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Reuters.
Ky studim do të monitorojë ndikimin e masave për izolim apo vetizolim në gjumin e njerëzve. Ai do të hulumtojë se si rreziqet e të ekspozuarit para virusit dhe se si simptomat psikologjike si ankthet, depresioni e stresi post-traumatik mund të ndikojnë, ose të ndikohen nga, gjumi.
Hulumtuesit shpresojnë të kuptojnë se si kanë lindur problemet e gjumit dhe të kuptojnë se si gjumi gjatë pandemisë është ndërlidhur me stilin e jetës, shëndetin dhe mirëqenien.
Të dhënat do të mblidhen në një databazë ndërkombëtare. Gjetjet, sipas ekspertëve, do t’u ndihmojnë të kuptojnë sfidat, por edhe zgjidhjet se si të ruajnë shëndetin e qytetarëve.