Gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot më 30.12.2023 rreth orës 06:15, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.
Sipas një njoftimi për media në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.
Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të kamionit, sipas njoftimit për media janë gjetur të ngarkuara 40 dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.