Një grup kriminal i trafikut të armëve që ishte aktiv në Kosovë e Shqipëri është shkatërruar pas nëntë muaj hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Gjithsej 14 persona janë arrestuar në të dyja shtetet. Tetë të dyshuar janë arrestuar në Kosovë dhe janë dërguar në mbajtje, gjashtë prej tyre shtetas të Kosovës, ndërsa dy prej të cilëve shtetas të Shqipërisë. E, gjashtë të tjerë u arrestuan në Shqipëri.
Policia e Kosovës më 10 dhjetor ka kontrolluar nëntë prona të të dyshuarve dhe ka gjetur 29 pistoleta, tri armë të gjata të modeleve të ndryshme të konfiskuar, 2635 fishek/municion të modelit të ndryshëm, dy automjete dhe pajisje tjera.
Personat e arrestuar janë: V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., B.A.
Ndërsa, më 11 dhjetor nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende. Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim të 6 personave: E.M. E.P. A.M. G. Ll. K.M. dhe T.Sh.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në prill të këtij viti, kishte pranuar informacione lidhur me dyshimet se disa persona shtetas të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, janë duke u marrë me import, eksport, furnizim, transportim, ndërmjetësim dhe shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.Pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK kishte autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nga hetimet e zhvilluara janë dokumentuar raste të shitjes së armëve të zjarrit kryesisht pistoleta ‘Zoraki” të trafikuara nga Kosova drejt Shqipërisë.
Hetimet janë mbështetur edhe nga EUROPOL-i.