Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”


Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, është shkarkuar nga kjo pozitë, ka njoftuar të hënën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas njoftimit të Ramës në Facebook, Restelica është shkarkuar pasi ka keqpërdorur detyrën, nuk e ka informuar bordin për planet dhe projektet investuese te ndërmarrjes dhe thuhet se nuk ka përfillur Bordin e Drejtorëve.

“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Prishtina Parking’ ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL ‘Prishtina Parking’”, ka shkruar Rama.

Vendimi për shkarkimin e tij hyn në fuqi të hënën e 22 gushtit.