Shkarkohet drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shkarkuar nga detyra drejtorin e suspenduar të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kjo ishte pikë e rendit të ditës në mbledhjen 202-të me radhë të KPK-së ku është diskutuar dhe aprovuar raporti gjashtëmujor i mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën janar-qershor 2021.

Gjithashtu, po në këtë takim, anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë shqyrtuar dhe aprovuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit për shpalljen e brendshme për avancim të dy pozitave në Departamentin për Krime të Rënda.

“Anëtari i KPK-së, Agron Beka, para anëtarëve të Këshillit ka prezantuar Raportin e Komisionit përzgjedhës për pozitën e Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë, me ç’rast ka njoftuar anëtarët e Këshillit se ky Komision ka vendosur në mënyrë unanime që të anulohet procesi për zgjedhjen e Drejtorit të NJSHPP-së deri në nxjerrjen e një rregulloreje të re. Anëtarët e KPK-së kanë trajtuar dhe aprovuar Kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e Prokurorit, Zejnullah Gashi, për Udhëheqës të Departamentit të Krimeve të Rënda të kësaj Prokurorie”, thuhet në deklaratë.