Gërmimet në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë kanë përfunduar dje për shkak të kushteve jo të mira atmosferike.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Ramë Manaj, në një konferencë për media sot ka thënë se sapo të krijohen kushtet atmosferike në pranverë do të fillojnë gërmimet në Kizhevak, duke shtuar se akoma nuk mund të dihet saktësisht sa persona kanë gjetur nga këto gërmime, njofton Klan Kosova.
“Ne si Komision Qeveritar për të Pagjeturit me përkushtim të madh e vazhdojmë misionin tonë të kërkimit të mbetjeve mortore të të vrarëve gjatë viteve 1998-1999”.
“Sot iu njoftojmë se punimet gërmuese në Kizhevak të Serbisë janë ndërprerë për shkak të motit jo të mirë, këto punime dihet se i kemi filluar që nga viti 2015, por me rezultat dolën që nga 16 tetori i këtij viti”.
“Sapo të krijohen kushtet klimatike në pranverë mendojmë të fillojmë sërish gërmimet. I falënderoj të gjithë ekipin që kanë punuar në këtë aspekt për gërmimin në Kizhevak”.
“Gërmime kemi pasë edhe në lokacione të ndryshme në Kosovë, si të krijohen kushtet atmosferike do të vazhdojmë të realizojmë planet tona sa i përket gërmimeve për mbetjet mortore”, ka thënë Manaj.
Ndërsa, Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, gjatë kësaj konferencë për media ka thënë se nga gërmimet në Kizhevak mendohet se janë gjetur katër apo pesë trupa, të cilët akoma nuk janë identifikuar.
“Fshehja e varrezës është munduar të bëhet duke krijuar një minierë të thëngjillit, pas shumë kërkimeve që kemi bërë kemi arritur të gjejmë lokacionin e saktë të varrezës. Kjo u bë fal ndihmës dhe koordinatave që i kemi siguruar nga imazhet e ushtrisë amerikane dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar”.
“Para se t’i qasemi punës në pranverë në lokacionin e Kizhevakit, do të bëjmë identifikimin e mbetjeve mortore, rezultatet e të cilave do t’i bëjmë të ditura për ju”.
“Mendohet se nga lokacioni janë tërhequr katër apo pesë persona. Konzervimi i gërmimeve është bërë në standarde të larta, kemi vendosur masa pesë shtresore të gjeoplastikës të, të cilat bëjnë konzervimin në masat që kërkohet”, ka thënë Gërxhaliu.
Anëtari tjetër i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Kushtrim Gara, ka bërë të ditur se në shtatë lokacione në Kosovë janë zhvilluar gërmime.
“Lokacionet që janë zhvilluar për këtë vit brenda Kosovës janë zhvilluar në komunat e Istogut, Rahovecit, Skenderajt, Gjilanit dhe Mitrovicës”, ka thënë Gara.