Shkaktoi 19 aksidente me vetura, kërkohet paraburgim ferizajasit për ‘keqpërdorim të sigurimit’

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm bën të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit G.B., për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i sigurimit”. 

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 8 dhjetor 2024, rreth orës 14:15, në Ferizaj, rr. “Rexhep Bislimi”, saktësisht tek rrethrrotullimi, i pandehuri G.B., me qëllim të arkëtimit të parave dhe benefiteve të sigurimit nga siguruesi, e dëmton pasurinë e siguruar dhe pastaj e lajmëron rrejshëm dëmtimin.

“…. në atë mënyrë që qëllimisht shkakton aksident trafiku duke drejtuar veturën të llojit Golf VII dhe në kohë të caktuar rrit shpejtësinë e lëvizjes dhe me anën e majtë të veturës e godet veturën e të dëmtuarës I.T., cila ishte duke lëvizur në rrethrrotullim, ndërsa pësojnë lëndime edhe dy pasagjerët në veturën e të dyshuarit, me çka ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i sigurimit’ nga neni 326 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

I pandehuri që nga data 17 dhjetor 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.