Shënohet viktima e 26-të e koronavirusit në Shqipëri

Betejën me koronavirusin e ka humbur një grua 64 vjeçare nga Tirana, e cila është viktima e 26 e koronavirusit në Shqipëri. Ajo ishte prej dy javësh e intubuar dhe mëngjesin e sotëm ka bërë arrest kardak.

Lajmin e ka dhënë  Ministria e Shëndetësisë, në një deklaratë për media ku ka njoftuar edhe për situatën më të fundit e të prekurve me koronavirusit.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një paciente 64-vjeçare nga Tirana e intubuar prej më shumë se 2 javësh. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ka bërë arrest kardiorespirator. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor të reanimacionit nuk ka mundur të mbijetojë. 64-vjeçarja kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese”, tha Silva Bino nga Ministria e Shendetësisë në një deklaratë për media.

Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor.