Një ngjarje tragjike ka ndodhur të shtunën në lagjen Veternik të Prishtinës, ku nga shembja e dheut në një punishte një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar.
Personi që ka pësuar lëndime është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00.
“Sot rreth orës 13:00, është pranuar informacioni se dy persona janë zënë nga shembja e dheut në një vendpunishte në rrugën “Gjilani” në lagjen Veterniku në Prishtinë. Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar pa shenja jete, nga ana e mjekëve emergjent. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe mekanizmat e tjerë të nevojshëm po vijon punën për sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen’’, ka thënë Policia.
Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit kanë reaguar shpejt dhe kanë arritur të sigurojnë zonën dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme.
Drejtori i Shërbimit të Zjarrfikësve të Prishtinës, Abdusamed Shkodra, tha se ndërhyrja ka qenë e shpejtë, megjithatë nuk ka mundur të parandalohet tragjedia.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje.
Kjo ngjarje ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ngritur shqetësime për kushtet e sigurisë në vendet e punës në sektorin e ndërtimit dhe të industrisë. /Telegrafi/