Ish-sulmuesi Shefki Kuqi po synon të marrë postin e trajnerit te skuadra e Ipswich Townit, që bën gara në kategorinë e tretë të Anglisë.
Kuqi, i cili ka luajtur për Ipswichin (2002-2005) dhe ka qenë lojtari i preferuar i tifozëve të Ipswichit, tashmë ka aplikuar për pozitën e trajnerit.
Aktualisht, Ipswichi është me trajner të përkohshëm pas largimit të Paul Cookut dhe Kuqi po shpreson që drejtuesit e klubit ta angazhojnë. Kjo është hera e dytë që Kuqi ka aplikuar për trajner të Ipswichit, pasi herën e parë në vitin 2018, klubi vendosi ta angazhojë Mick McCarthyn para ish-sulmuesit kosovar.
“Unë kam aplikuar për ta marrë drejtimin e Ipswichit. Krerëve të klubit iu kam bërë me dije se jam i gatshëm për këtë rol dhe ata e dinë se ku jam unë. Te Ipswichi i kam përcjellë gjërat nga afër, e njeh ekipin dhe e di saktësisht se çfarë duhet të ndryshohet për të pasur sukses”, ka thënë Kuqi për mediumet angleze.
“Gjithmonë kam thënë se pjesën më të mirë të karrierës si futbollist e kam kaluar te Ipswichi. Prejse jam bërë trajner, e kam përcjellë çdo ndeshje të Ipswichit dhe jam i njohur me situatën brenda klubit. I kam parasysh të gjitha problemet dhe besoj se së bashku do të bënim një punë të mirë”.
Në rast se Kuqi mund ta merr drejtimin e Ipswichit në League One, aty e pret futbollisti kosovar Bersant Celina.