Shefi i AKI-së pranon të largohet nga detyra

Kreshnik Gashi ka pranuar të largohet nga detyra e shefit të AKI-së.

Kreshnik Gashi ka pranuar që të largohet nga pozita e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Largimi i tij nga AKI-ja, ka ardhur pas kërkesës së kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

Në kërkesën e Hotit nuk është dhënë asnjë arsye pse ai duhet ta lirojë këtë pozitë, mirëpo tashmë Gashi i është bindur kësaj kërkese.

Se Gashi e ka pranuar kërkesën për lirimin nga detyra, është konfirmuar për lajmi.net edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Ai është shkarkuar nga detyra para disa ditësh nga ana e kryeministrit”, ka thënë për lajmi.net, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku.

Theksojmë se, sipas ligjit në fuqi, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së, bëhet në koordinim mes presidentit dhe kryeministrit.

Rreth lirimit të detyrës së Gashit, as Hoti e as Osmani nuk kishin treguar arsyet, por që si rrallëherë Hoti e Osmani ishin pajtuar për shkarkimin e tij.

E gjitha çfarë dihet deri më tani në lidhje me kërkesën e Hotit dhe Osmanit që Gashi ta lirojë postin e të parit të Inteligjencës, është se shkarkimi i Gashit bazohet në ligjin për AKI-në, sipas të cilit rregullohen aktivitetet, të cilat nuk i lejohen agjencisë.

Kreshnik Gashi ishte emëruar në krye të inteligjencës kosovare në nëntor të vitit 2019, nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Ramush Haradinaj, në dakordim me ish-presidentin Hashim Thaçi.