Disa rregullatorë federalë amerikanë, 48 shtete dhe disa qarqe kanë ngritur dy padi të ndryshme kundër monopolit, që mund ta ndajnë kompaninë Facebook.
Të dy paditë, të ngritura nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) dhe një koalicion i prokurorëve të përgjithshëm, të udhëhequr nga shteti i Nju Jorkut, akuzojnë gjigantin e rrjeteve sociale për sjellje anti-konkurruese dhe monopol, shkruan REL.
Në këto procese gjyqësore kërkohet që një gjykatë të detyrojë Facebookun ta shesë Instagramin dhe WhatsAppin, të cilët gjiganti i teknologjisë i bleu më 2012 dhe në vitin 2014. Po ashtu, kërkohet që t’i ndalohet Facebook-ut të blejë kompanitë e vogla, siç ka bërë më herët, për të mos konkurruar me të.
Ky rast është një lëvizje e madhe e rregullatorëve kundër gjigantit të rrjeteve sociale, që mund të paralajmërojë veprime të ngjashme edhe kundër gjigantëve të tjerë të teknologjisë. Ky proces gjyqësor vjen pas një procesi tjetër të ngjashëm kundër Alphabet’s Google, që u ngrit në tetor.
Amazon dhe Apple gjithashtu janë hetuar nga Kongresi dhe nga autoritetet tjera federale për sjellje të pretenduara anti-konkurruese.
“Veprimet e Facebook-ut për të forcuar dhe mbajtur monopolin, u mohojnë konsumatorëve përfitimet që sjellë konkurrenca”, tha Ian Conner, drejtor i Zyrës së Konkurrencës në FTC.
“Qëllimi ynë është të rikthejmë mbrapa sjelljen anti-konkurruese të Facebook-ut dhe të rivendosim konkurrencën në mënyrë që inovacioni dhe konkurrenca e lirë të lulëzojnë”, shton Conner.
Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, e cila drejton koalicionin e prokurorëve të përgjithshëm të shteteve, pati komente të njëjta.
“Për gati një dekadë, Facebook ka përdorur dominimin dhe fuqinë e tij të monopolit për të shtypur rivalët më të vegjël dhe për të shkatërruar konkurrencën, të gjitha këto në kurriz të përdoruesve të përditshëm”, tha ajo.
Facebook-u shtypi konkurrencën për të përdorur dominimin e tij në treg për të “përfituar nga përdoruesit dhe për të bërë miliarda, duke shndërruar të dhënat personale në fitime të majme”, tha prokurorja James.
“Asnjë kompani nuk duhet të ketë kaq shumë fuqi të pakontrolluar mbi informacionet tona personale dhe sjelljet tona shoqërore”, shtoi ajo.
Facebook, rrjeti më i madh social në botë me 2.7 miliardë përdorues, ka blerë rreth 70 kompani gjatë 15 vjetëve të fundit, duke përfshirë Instagram-in dhe WhatsApp-in.
Duke iu përgjigjur padive të anti-monopolit, Facebook-u i quajti veprimet e qeverisë “histori revizioniste” që ndëshkon bizneset e suksesshme dhe vuri në dukje se FTC-ja miratoi blerjet e Instagram-it dhe WhatsApp-it vite më parë.
“Qeveria tani dëshiron të bëjë diçka të re, duke dërguar një paralajmërim tronditës për bizneset amerikane se asnjë shitje nuk është kurrë përfundimtare”, tha në një deklaratë avokatja e përgjithshme e Facebook-ut, Jennifer Newstead.