SHBA-ja kërkon kompromise nga Kosova e finalizim të dialogut me njohje nga Serbia

Me një letër në të cilën ka përmendur që dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke, Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka numëruar kompromise që duhet të bëjë Kosova.

Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Blinken i ka përmendur dy “kompromise në planin afatshkurtër”. Ai ka thënë se duhet të arrihet marrëveshje për çështjen e energjisë në veri të Kosovës e të avancohet me çështjen e personave të pagjetur. Sipas Blinkenit, është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen e të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës.

Blinkeni ka kërkuar nga Kurti që të kthehet momentumi në dialog, ndërsa ka bërë thirrje që ai të mbështesë zotimet paraprake të Kosovës e të shmangë retorikën që mund të rrisë tensione. Blinkeni ka kërkuar që Qeveria të mbështesë vendimet gjyqësore – në veçanti ato që lidhen me të drejtat e minoriteteve. Këto ndërlidhen me presionet e fundit që SHBA-ja dhe partnerë të tjerë të Kosovës kanë bërë për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe për tokën rreth Manastirit të Deçanit.

Blinkeni megjithatë ka përsëritur qëndrimin e vazhdueshëm të SHBA-së që dialogu duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Ai ka thënë se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane e të pavarur.

Blinkeni ka lavdëruar Kosovën për strehimin e afganëve, duke thënë se me këtë ka treguar lidership në të cilin mund të mbështetet SHBA-ja dhe të tjerët. Ai ka thënë se edhe prania e ushtarëve të Kosovës në misionin e Kuvajtit ka vënë në pah kapacitetin në rritje të Kosovës për të kontribuuar në siguri.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka vazhduar ai.

Blinken ka shtuar se raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë mbesin pengesë për anëtarësim në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ka thënë se pranimi i Kosovës në to është qëllimi i përbashkët i Kosovës me SHBA-në. Ai ka ofruar mbështetje për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar Blinken.

Në fund ai ka thënë se Kosova duhet të punojë ngushtë me ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe përfaqësuesin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën Blinkeni.