“Abuzimi me pozitën e besimit të publikut, për të pasuruar veten dhe familjen”, është arsyeja që ka bërë që ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas ndihmësekretarit të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, nuk ka rëndësi koha kur ka dalë njoftimi, pasi që Berisha ka vjet që s’është në pushtet.
“Nuk do t’i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumente që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, ka thënë Palmer për “VoA”. “Zoti Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”.
Sipas Palmerit, me këtë instrument SHBA-ja po e lufton korrupsionin publik. “Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, ka shtuar Palmer.
Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se Berishës dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA për shkak se “veprimet korruptive të tij, minuan demokracinë në Shqipëri”.
Ndërkaq në përgjigjen e tij, Berisha ka thënë se për 30 vjet karrierë politike s’ka pasur akuzë ndaj tij e as dyshime për keqpërdorime fondesh.