Qeveria amerikane i ka konsideruar të pamjaftueshme masat e marra nga Qeveria e Kosovës për heqje të tarifës 100 për qind në lëndën e parë në prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Një burim brenda Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti shihen si mënyrë për të blerë kohë.
“Kjo nuk është e mjaftueshme për SHBA-në. Pse të presim? Kjo duket sikur mënyrë për të blerë kohë. Qëndrimi ynë është se tarifat duhet të largohen plotësisht sepse ato dëmtojnë ekonominë e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar amerikan.
Kjo deklaratë vjen pas vendimit të marrë të premten nga Qeveria e Kosovës për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.