Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se janë zero shanset që Franca njëanshëm ta pezullojë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Duke komentuar deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që të martën shkaktoi konfuzion në Kosovë, Shasha ka dhënë këshillë që “Kosova të buzëqeshë dhe të mos thotë asgjë”.
“Kosova ka kryer të gjitha detyrat e veta të shtëpisë dhe mund të rri komod për liberalizimin e vizave. Ne veç jena tu e prit të buzëqeshur 1 janarin 2024. Eh tash nëse Presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vetë të pezulloj liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme. Kam thënë edhe më herët. Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”, ka shkruar Shasha në Facebook.
Të martën, Macron kërcënoi Kosovën duke kthyer në vëmendje çështjen e liberalizimit, që hyn në fuqi më 1 janar 2024. Ai u shpreh se Franca në “mirëbesim” ka vendosur të heqë vizat për kosovarët, por shtoi se fjala nga Kosova s’po mbahet, duke iu referuar negociatave me Serbinë. Deklarata e tij u interpretua si “vendim” për pezullim të liberalizimit.