Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot ka zyrtarizuar kandidaturën e Shaqir Totajt për kryetar të komunës së Prizrenit.
Në një konferencë për media të mbajtur në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, Hoxhaj ka thënë se sot po nisë një epokë e re për Kosovën dhe për Prizrenin, sepse ky qytet që është ndër më të rëndësishmit pas Prishtinës dhe urë lidhëse mes dy kryeqyteteve shqiptare udhëhiqet nga një kryetar që gjumin nuk e bën këtu.
Ai ka thënë se Prizrenit i duhet një kryetar që punon 24 orë për qytetin pa u ndalur, pas 4 vitesh stagnim, degradim, ankesa dhe asnjë punë e mirë për Prizrenin.
“Së bashku, pa frikë dhe me mendje të hapur sot mund të krahasojmë dy modele të qeverisjes këtu në Prizren sepse dallojnë si nata me ditën. E këtë gjë nuk mund ta bënin para 4 vitesh, kur Vetëvendosja nuk ishte provuar në pushtet. Por sot pamjet janë të qarta si kristali sepse PDK ndërton e punon, kurse VV-ja rrënon e abuzon! Kurrë nuk ka qenë më i degraduar arsimi në Prizren, me dhjetëra shkolla që ankohen çdo ditë për mungesë arsimtarësh e organizimi për ofrimin e mësimit të mirëfilltë. Kurrë nuk ka qenë më i dergraduar se sot mjedisi, me më shumë bërllog e papastërti në rrugët e lumenjtë e qytetit. Qendra Historike e Prizrenit është kthyer në një Qendër Kaotike dhe të parregullt ku përzihen nga ky pushtet i mashtrimit edhe ata pak turistë për shkak të parkingjeve të shtrenjta dhe mungesës së hapësirës. Dhjetëra aktakuza për drejtorët komunal e shumë denoncime për afera milionëshe e abuzime me paratë e qytetarëve të Prizrenit.”, ka theksuar Hoxhaj.
Ai ka thënë se Prizrenit i duhet një kryetar si Shaqir Totaj që ka jo vetëm vullnetin e vizionin për të punuar, por që nuk shantazhohet nga askush dhe për asgjë, një kryetar që jeton dhe i ndan bashkë me qytetarët e Prizrenit të mirat dhe të këqijat.
“Unë jam garancia e kësaj kandidature – që Shaqa do ta ketë gjithë mbështetjen për të qeverisur i papenguar nga askush. Sepse para 4 vitesh, Shaqa ishte vërtetë kandidat i PDK-së për kryetar por sot ai është një kandidat i qytetit dhe i të gjithëve pa dallim. Shaqa është pakrahasimisht alternativa më e mirë. Ai është një personalitet që tejkalon kufijtë partiak dhe një mundësi e mirë për bashkim qytetar për ti dhënë Prizrenit kryetarin që ka nevojë dhe atë që e meriton. Shaqa është një figurë që është rritur bashkë me Prizrenin dhe më mirë se secili ia di dhimbjen, traditën, historinë por edhe kërkesat. Prandaj, Shaqa, kryetari ynë i ardhshëm, është garancia ime, garancia e të gjithë neve, për ta kthyer Prizrenin në rrugën e drejtë të zhvillimit e përparimit.”, ka përfunduar Hoxhaj.
Ndërsa, kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetar i Degës së PDK-së në Prizren dhe nënkryetari i partisë, Shaqir Totaj ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe partinë për besimin e dhënë.
Ai ka thënë se nën udhëheqjen e PDK-së, Prizreni do të jetë një model i një qeverisjeje të mirë lokale për qytetarët e tij.
“Jemi dëshmitarë të një zhgënjimi të qytetarëve të Prizrenit, zhgënjim i cili ka ardhë pas premtimeve të mëdha dhe pas mungesës së performancës së pushtetit lokal. Jemi dëshmitarë të degradimit të qytetit të Prizrenit, të rënies së hijes së atraktivitetit të këtij qyteti. Kandidatura ime do të jetë kandidaturë përtej një partie, e cila bazohet në vizion qytetar për kthim të reputacionit, prestigjit dhe përmirësim të kualitetit të jetës në Prizren.”, ka thënë Totaj.