Shahini: Qeveria aktuale nuk ka vizion për zhvillim ekonomik

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se qeveria aktuale nuk ka vizion për zhvillim ekonomik.

Shahini është shprehur në emisionin “Sot” të KTV-së, të martën, se partia në pushtet e ka ndryshuar konceptin e saj politik me ardhjen në pushtet, duke shtuar se ajo po merret më shumë me çështje ndërkombëtare në të cilat nuk ka ndikim, sesa me ato vendore.

“Qeveria aktuale nuk ka vizion për zhvillim ekonomik, nuk ka program dhe strategji afatshkurtër dhe afatmesme për ta zhvilluar ekonominë, për ta luftuar varfërinë dhe për të pasur mundësi që ta mbrojë qytetarin e vet, duke ia ndaluar epshin për të dalë jashtë vendit. Të gjitha qeveritë nuk e kanë pasur interesin aq të lartë për ta zhvilluar prodhimtarinë vendore dhe ekonominë e vendit. Kemi ngecur edhe në zhvillim ekonomik, edhe në integrim, edhe në punësime, në mungesë të një strategjie. Ka ndryshuar koncepti politik i qeverisë në pushtet, tashmë janë duke bërë punë ad’hoc, për të cilat më shumë ngjason sikur jemi shtet i fuqishëm dhe mund të merremi me politika ndërkombëtare dhe politika të mëdha që s’kemi fuqi sesa këto të brendshmet që janë më të vogla dhe i kemi më keq”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, qeveria nuk duhet ta mësojë qytetarin që t’ia japë nga 100 euro, por duhet të krijojë vende pune.

“Ato 100 euro do të shpërndahen nëpër kategori të ndryshme, është mirë që është bërë por duhet të paraprijë edhe një pako që bën ndezjen e motorëve të ndërmarrësve për zhvillim dhe veprim”, ka shtuar ai, teksa ka folur edhe për mundësinë e tërheqjes së serishme të mjeteve nga Trusti, për të cilën ka thënë se janë të pajtimit si AKB.