Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për spiunazh në seancën fillestare kundër tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë të hënën.
I pyetur nga gjykatësi Rrahman Beqiri se si deklarohet, Bedri Shabani tha: “Jam plotësisht i pafajshëm”.
Bedri Shabani akuzohet se i ka dhënë informata Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij në vitin 2024.
Ai e ka ndihmuar BIA-n duke i dhënë informata dhe dokumente për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrën e Reçakut, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, sipas aktakuzës.
Ai dyshohet se këtë informata ia dorëzoi një zyrtari të lartë të BIA-s, i cili dyshohet se ishte udhëheqës i operacionit ushtarak të Serbisë në masakrën e Reçakut, përmes komunikimeve telefonie, postës elektronike dhe takimeve fizike në territorin e Serbisë.
Ndërkohë, Muharrem Qerimi tha para gjykatësit se “unë nuk e pranoj fajësinë për veprën penale të spiunazhit”.
Muharrem Qerimi, përveç dhënies së informatave për UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe AKI-në, akuzohet se i dërgoi BIA-s edhe të dhëna në lidhje me dëshmitarët e Gjykatës Speciale.
Qerimi e pranoi fajësinë për akuzën e dytë me të cilën ngarkohet, armëmbajtje pa leje.
Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë Shabanit dhe Qerimit, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale të spiunazhit.
Ata u arrestuan në qershor të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt dhe prej atëherë janë mbajtur në paraburgim.
Seanca fillestare për ta duhej të mbahej javën e kaluar, por u shty për 17 mars, pasi njëri nga të akuzuarit kërkoi më shumë kohë për ta kuptuar aktakuzën para se ta bëjë deklarimin rreth fajësisë.