“Serie A” duhet të vazhdojë për të mirën e Italisë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina ka thënë se ata që dëshirojnë që Serie A të përfundojë tani, nuk e duan futbollin apo italianët.

Gravina ka qenë i zhurmshëm për synimin e tij që të kampionati të vazhdojë. Ai tani po përkrah idenë që kampionati italian të vazhdojë në fund të majit apo fillim të qershorit.

“Njëjtë si ministri Spadafora, shpresoj që të kthehemi në stërvitje më 4 maj, me të gjitha masat e kujdesit dhe garancat”, ka thënë Gravina për Rai Radio.

“Është moment kompleks për vendin, për ekonominë dhe futbollin, që është prej industrive kryesore. Me një sens të përgjegjësisë dhe me kontribut të përbashkët, do të gjejmë mënyrën e duhur. Për ata që propozojnë të anulohet kampionati, mund të them se nuk u pëlqen futbolli apo italianët. Ata duan të na marrin shpresën për të ardhmen dhe për vazhdimin e futbollit. Unë do të mbahem deri në fund”.

I pari i futbollit italian ka theksuar se do të merren masa strikte dhe të kujdesshme lidhur me shëndetin e të përfshirëve. Ai thotë se duhen tri javë për të vënë masat e sigurisë.

“Kështu që ne mund të vazhdojmë në fund të majit apo fillim të qershorit. Do të jetë një periudhë e kontrollimeve për të garantuar sigurinë e të gjithë të përfshirëve. Nëse rezultatet e të gjithë të testuarve dalin negative, nuk do të ketë telashe për të ndaluar përhapjen e virusit. Unë shpresoj që të gjithë të luajnë në stadiumet e tyre. Nëse kjo nuk është e mundshme atëherë do të shikojmë për alternativa”, ka thënë Gabriele Gravina.