Sergio Ramos do të vendosë ditët e ardhshme se ku do të vazhdojë aventurën e tij profesionale, pas largimit nga Real Madrid.
Sipas mediave sportive spanjolle, qendërmbrojtësi ka shumë gjasa që të zgjedhë PSG dhe arsyeja kryesore është Neymar. Spanjolli gjithmonë e ka pëlqyer futbollin e sulmuesit brazilian dhe madje e ka këshilluar Presidentin madrilen, Florentino Perez, që ta blejë.
Të dy futbollistët kanë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin dhe kanë shkëmbyer shumë mesazhe që kur u njoftua se kapiteni i Real Madrid nuk do të rinovonte kontratën me klubin ku ka luajtur për 16 sezone.
Ndërkohë, Neymar rinovoi me PSG deri në vitin 2025, me Al Khelaifin që i ka premtuar se do të ketë një projekt fitues. Te ky projekt bën pjesë edhe Sergio Ramos, eksperienca e të cilit (4 Champions League të fituara) do t’i shërbejë shumë klubit francez, që ende nuk e ka provuar shijen e trofeut më të rëndësishëm evropian për klube.