Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas një takimi me homologun nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi, tha se duhet të shikohet gjithmonë skenari më i keq dhe bëri thirrje për kujdes dhe rritje të nivelit të armatimeve dhe potencialit të ushtrisë.
“Kurrë nuk duhet të përjashtojmë mundësinë dhe potencialitetin e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës”.
“Mendojmë se Forcat e Sigurisë së Kosovës duhet ta rrisin nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit. Republika e Kosovës pa dyshim se duhet të ketë nivelin e artilerisë të ushtrisë së vet. Natyrisht se gjitha këto ne do t’i bëjmë me partneritet dhe bashkëpunim të ngushtë me NATO-në”, u shpreh Konjufca.
Në konferencën e përbashkët, të dy kryeparlamentarët theksuan rëndësinë dhe sigurinë që sjell anëtarësimi në NATO.
“Fazat në shtrirjen 10-vjeçare që janë menduar të reduktohen dhe Kosova të ketë ecje më të shpejt drejtë NATO-s”, tha kreu i Kuvendit.
“Ne jemi anëtare e plotfuqishme e aleancës së NATO-s dhe i mbështesim aspiratat euro-atlantike të Republikës së Kosovës duke qenë në dispozicion të ndajmë me ju njohurit dhe përvojat e fituara nga rrugëtimi i jonë si në këtë aleancë, ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Më tej, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, tha se Ballkani Perëndimor është fraxhil nga ndikimet e jashtme, dhe këshillon liderët e vendeve të rajonit që t’i kushtojnë rëndësi masave parandaluese, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Xhaferi u takua dhe me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive politike në Kosovë.