Serbia i mban të mbyllura rrugët për kamionët dhe autobusët nga Kosova


Pikëkalimet kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe Merdar vazhdojnë të mbesin të bllokuara për kamionë dhe autobusë edhe në mëngjesin e së martës, ka bërë të ditur Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.

Rrugët janë bllokuar në territorin e Serbisë në afërsi të këtyre pikave kufitare për shkak të protestave që janë mbajtur të hënën mbrëma nga serbët në këtë pjesë.

“Pikëkalimet kufitare janë të hapura për qarkullim të automjeteve dhe mbesin të bllokuara nga Serbia për kamionë dhe autobusë”, kanë thënë nga QKMK-ja për KOHËN.

Derisa në pikat tjera kufitare pritjet për hyrje-dalje në territorin e Kosovës janë tre deri në pesë minuta, në Jarinjë, Bërnjak e Merdar nuk është i sigurt as kalimi i veturave.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë thirrje të hënën për të gjithë ata që kanë hyrë në territorin e Serbisë dhe po udhëtojnë drejt Kosovës që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut, ndërsa ata që nuk kanë hyrë ende në Serbi, ta shmangin rrugën përmes këtij vendi.