Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar të premten se misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është dorëzuar kërkesa për dërgimin e pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës.
Sipas raportimeve, kërkesa është bërë në Merdare, një prej pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur të enjten se Qeveria e Serbisë do t’ia nisë KFOR-it këtë kërkesë në formë elektronike.
Sipas tij, bëhet fjalë për kthimin e 100 deri në 1.000 trupave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
Ai ka paralajmëruar se të nesërmen (16 dhjetor) kërkesa e njëjtë do të dërgohet edhe në kufirin me Kosovën.
Beogradi e ka marrë këtë vendim pas pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në rajonin verior.
Beogradi zyrtar e arsyeton këtë kërkesë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Vetë Vuçiq ka thënë se pret që kërkesa të mos i pranohet, duke u bazuar në mesazhet që kanë dhënë zyrtarët ndërkombëtarë ditëve të fundit.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë. /REL/