Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtune, e ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policor të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim. Lista Serbe ka vendosur të largohet nga institucionet e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri“, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të suspenduar Nenad Gjuriqin, drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Siç u raportua në media, në këtë takim morën pjesë të gjithë udhëheqësit e institucioneve që veprojnë në veri të Kosovës, duke përfshirë nëpunës të policisë, gjykatave e prokurorisë së shtetit.
Në këtë takim, që u udhëhoq nga Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, u njoftua se largimi nga institucionet do të përfshijë edhe Qeverinë e Kuvendin e Kosovës. Madje, ishte vetë Rakiq që tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Por, nga sot Lista Serbe do ta bojkotojë edhe Kuvendin e Kosovës, e ku përfaqësohet me 10 deputetë, aq edhe sa janë ulëset e rezervuara në Kuvend.
Në konferencën për media, Rakiq njoftoi se vendimi për largimin nga institucionet e Kosovës do të jetë në fuqi deri atëherë kur sipas tij Prishtina të “fillojë të respektojë të marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”, theksoi Rakiq./REL/