Senati amerikan mbështet masën për ta ndihmuar Ukrainën – masë kjo që nuk është parë nga Lufta e Dytë Botërore

Senati amerikan njëzëri ka mbështetur propozimin për aktivizimin e programit Land-Lease për Ukrainën. Me këtë është “ringjallur” masa që gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka luajtur rol kyç në mbështetjen e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik që të mbrohen nga Gjermania naziste.

Kjo masë do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara që në mënyrë efikase dhe të shpejtë të dërgojnë armë në Ukrainë, dhe materiale tjera të nevojshme për luftë, transmeton Telegrafi.

Land-Lease është program i formuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kurse historianët e konsiderojnë si vendim që ka ndryshuar kahjen e luftës. Me këtë vendim Shtetet e Bashkuara do të kishin mundësi që ma shpejtë të armatosin aleatët që janë në luftë.

Aktivizimi i këtij programi, që për herë të fundit u përdor gjatë Luftës së Dytë Botërore, është tregues se SHBA-të dhe aleatët në Evropë, konsiderojnë se pushtimi rus paraqet një kërcënim serioz për avancimin demokratik, shkruan Politico.

Gjithashtu është një tregues se shtetet perëndimore kanë filluar të besojnë, se Ukraina mund të fitojë në luftë. Kongresi amerikan së fundmi ka miratuar ligjin që i siguron 14 miliardë dollarë për ndihma ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, kurse nga 24 shkurti janë dërguar në Ukrainë ndihma të ndryshme nga ato ushtarake e deri në barna në vlerë prej 1.7 miliard dollarë.

Ligji për Land-Lease për mbrojtjen e demokracisë së Ukrainës, do të përshpejtonte pajisjet kritike ushtarake. Në parim i mundëson dhurimin e pajisjeve ushtarake me qëllim që ai shtet që i pranon ato – t’i paguaj më vonë.

Megjithatë nuk dihet nëse Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, do të miratoj këtë ligj sot, para se të shkojë në pushim dyjavor. /Telegrafi/