Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po i mbron dhe po i përfaqëson hajdutët dhe shkelësit e ligjit.
Ai ka shkruar në Facebook të hënën se në vendet demokratike, shkelësit e ligjit ndiqen nga prokuroria, e në Kosovë sipas tij, organet e ndjekjes linçohen dhe sulmohen nga kryeministri e nga Qeveria.
Sipas Selmanajt, kjo qasje është e papranueshme, e dënueshme dhe e gërditshme.
“Në vendet demokratike, hajnat dhe shkelësit e ligjit, i mbron dhe i përfaqëson avokati. Në Kosovën tonë, i mbron dhe i përfaqëson Kryeministri dhe qeveria e tij. Në vendet demokratike hajnat dhe shkelësit e ligjit, i ndjekë dhe i akuzon prokuroria. Në Kosovën tonë, prokurorët dhe organet ndjekëse, i linçon dhe i sulmon Kryeministri dhe qeveria e tij. E papranueshme, e dënueshme, e gërditshme”, është shprehur deputeti opozitar.
Të dielën mbrëma, kryeministrin Kurti e ka akuzuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Nëpërmjet një videomesazhi, Abdixhiku është shprehur se nga buxheti i shtetit, Kurti i ka dhënë miliona euro një miku të tij, nisur nga dyshimet për keqpërdorime të rezervave shtetërore.