Selmanaj: AAK-së duhet t’i takojnë katër ministri, Qeveria e re votohet javën tjetër

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kanë nisur bisedimet për lidhjen e koalicionit për formimin e Qeverisë së re.

Lidhur me këtë ka folur deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj.

Ai për Klan Kosova tha se marrëveshje do të nënshkruhet së shpejti. “Jemi afër finalizimit të marrëveshjes. Ajo pritet të nënshkruhet së shpejti këto ditë të javës së ardhshme. Kur të arrihet marrëveshja ne nuk do të vonohemi dhe të marrim hapat e tjerë të nevojshëm”.

Selmanaj shtoi se Aleancës i takon t’i ketë katër ministri në bazë të kuotave të deputetëve. “Ne i kemi 13 deputetë, në bazë të kësaj neve do të duhet të na takonin katër ministri. Jemi duke i biseduar detajet e marrëveshjes. Nuk i kemi biseduar ende ndarjen e dikastereve dhe emrat e ministrave”.

Rasim Selmanaj theksoi se Qeveria e ardhshme pritet të votohet javën e ardhshme.

Ndryshe partneri parazgjedhor i Nismës, Aleanca Kosova e Re ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit.