Selim Selimi nga AAK-ja ka thënë se Qeveria Kurti u rrëzua për shkak të “gabimeve të njëpasnjëshme në politikën e brendshme, por edhe në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Unë mendoj që Qeveria në largim ka rrëzuar veten me më shumë se 2/3 e votave të deputetëve. Vetë rrëzimi ka ndodhur për shkak të keq kalkulimeve politike, prishjes së partneritetit e parimeve mbi të cilat është bërë koalicioni dhe ka sjell veten në gjendje ku më shumë se dy të tretat e deputetëve ishin pro rrëzimit. Kjo ishte pasojë e veprimeve të njëpasnjëshme të gabueshme në shumë plane të brendshme, por edhe në relacion me partnerët tanë strategjikë, në veçanti me SHBA-në. Kur është procesuar mocioni, ne kemi përkrahur, sepse kemi menduar dhe kemi besuar se qeveria në largim, e më pas edhe u bindëm, se ka bërë hapa të gabueshëm. Bindjen e fituam kur u votua nga 2/3 e deputetëve”, ka thënë ai.
Selimi ka thënë se “duke qenë opozitë e duke konstatuar këtë keqqeverisje ishte e natyrshme të jemi pro mocionit të mosbesimit”.
Për marrëveshjen me LDK-në për bashkëqeverisje, Selimi ka thënë se ajo erdhi pas një letërkëmbimi mes krerëve të partive, e në të cilat ka thënë se janë shfaqur disa prej çështjeve të rëndësishme për AAK-në.
“Sa i përket marrëveshjes mes LDK-së, AAK-së e Nismës është marrëveshje që ka krijuar partneritet, erdhi pas një letërkëmbimi në të cilën LDK-ja ka kërkuar partneritetin me ne dhe më pas me të tjerët. Në atë letër ne kemi kthyer përgjigjen duke treguar vullnetin, por edhe duke numëruar disa prej çështjeve që për ne janë të rëndësishme. Ndër to ishte Autosrada e Dukagjinit e Anamoravës. Në marrëveshjen ku janë garantë kryetarët tanë, letërkëmbimi mes dy kryetarëve, është bazamenti i kësaj marrëveshje për partneritet. Kemi pasur takime, një gjë e cila e ka bërë punën më të lehtë është se jemi të dyja parti të qendrës së djathtë e i kemi të ngjashme qasjet ndaj menaxhimit të pandemisë. Kjo e qendrës së djathtë vije në theks kur flasim për sanimin e pasojave që ka lënë pandemia në ekonomi. Jemi marrë vesh të punojmë bashkë. Në letërkëmbim, por edhe gjatë takimeve kemi gjetur gjuhë të përbashkët edhe në politikat tjera si sociale, sundimit të rendit e të ligjit, çështje të sigurisë e të tjera. Si proces shkoi me mirëbesim të plotë”, ka thënë tutje ai.
Sipas Selimit, formula e ndarjes në qeverinë e synuar nga LAN-i u bë bazuar në fuqinë e partive në Kuvend.