Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka treguar arsyet pse u përça koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Selimi ka thënë se kjo parti, do të marrë pjesë në seancën ku do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë.
Ai ka thënë se kjo parti nuk mund të kontestojë anën ligjore të mocionit, por kanë pasur rezerva për ambientin higjienik të vendit ku do të mbahej seanca.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka deklaruar në RTV Dukagjini se pas deklaratës së Agim Veliut nuk ka pasur më hapësira që ky i fundit të jetë ministër i Albin Kurtit. “Nëse koalicioni ka qenë i varur nga Agim Veliu s’ka pasur pse të ekzistojë”, theksoi ai.
Selimi thotë se LDK-ja, e para e shkeli marrëveshjen e koalicionit me VV-në kur bëri presion për taksën 100%.
“LDK kërkoi ta heqim tarifën, duke hequr dorë nga pjesa tjetër që është shumë më e rëndësishme, e ai ishte reciprociteti. Këtu filloi krisja”, deklaroi ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes thotë se mocioni i mosbesimit nuk po bëhet as për Agim Veliun e as për taksën, por sipas tij po bëhet për shkak të “marrëveshjes që po pritet mes Kosovës dhe Serbisë”.