Selimi: Menjëherë të pezullohet dialogu, s’duhet qëndruar duarkryq para goditjes që po i bëhet Kosovës

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar që të pezullohet menjëherë dialogu me Serbinë pas konfirmimit të aktakuzave ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Ai tha se kjo që po ndodh nga Dhomat e Specializuara është goditje e rëndë për shtetësinë e Kosovës, prandaj s’duhet qëndruar duarkryq, njofton Klan Kosova.

“Konfirmimi i aktakuzave nga Dhomat e Specializuara për ish-presidentin dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit dhe shefit të grupit më të madh parlamentar është goditje për tërë popullin dhe në veçanti për institucionet e Kosovës. Këto aktakuza të cilat më shumë se kanë qenë efekt juridik po prodhojnë efekte politike me qëllim të pozicionit tonë ndërkombëtar përballë të cilave nuk guxojmë të qëndrojmë duarkryq. Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar, i deleguar nga AAK-ja për dialog konsideroj që Qeveria e Kosovës menjëherë duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër”.

Selimi tha se Qeveria është për të vendosur drejtësi, por se Gjykata Speciale duhet ta qartësojë pozicionin e saj nëse është gjykatë e Kosovës.

Ai po ashtu kërkoi një komunikim ndërinstitucional me ministrinë që drejton.