Sekretet e panjohura të karrotës

Të egra apo të buta, karrotat janë perimet më të famshme të kuzhinës në mbarë botën.

Ato renditen gjithashtu në listën e perimeve përgjithësisht të pëlqyera nga konsumatorët. Vlerat shëndetësore dhe ushqimore të saj janë të njohura, por karrota ka edhe disa sekrete që AgroWeb i zbulon për ju.

1. Karrotat kanë origjinën nga Afganistani

Karrota e parë e kultivuar në histori është zbuluar në Afganistan në vitin 900 para erës sonë. 100 vjet më vonë, kjo perime u shpërnda në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut. Që aty udhëtoi në Spanjë dhe në vitin 1300 para erës sonë çeli në kopështet e Evropës së Veriut madje edhe në Kinë.

2. Karrotat mund t’i lësh nëntokë gjithë dimrin

Ekzistojnë disa perime të cilat nuk rezistojnë gjatë nën tokë. Por jo karrota. Karrotën mund ta lësh nëntokë gjithë dimrin, dhe nuk e gjen gjë, mjafton që bima të mbulohet më një lloj plehu që e mbron atë nga ngrica. Në këtë rast fermerët gjenden përpara dy zgjedhjeve: të presin të vijë pranvera, ose të nxjerrin karrotat në dimër. Nëse zgjedhin këtë të fundit, përqendrimi i sheqerit tek karrota është më i lartë dhe ato bëhen më të ëmbla.

3. Karrotat përbëhen nga 88 përqind ujë

Është e vërtetë. Shumë njerëz përtypin karrota në përpjekje për të ngrënë shëndetshëm dhe për të shuar urinë. Në të vërtetë po shuajnë edhe etjen. Kjo nuk është një gjë e keqe, sidomos po të krahasosh faktin që trupi i njeriut përbëhet nga 60% ujë.

4. Karrotat janë shumëngjyrëshe

Harroje ngjyrën portokalli. Karrotat mund t’i gjesh në ngjyrat e saj natyrale: të bardhë, të verdhë dhe ngjyrë vjollcë e errët. Karrotat e para të zbuluara në botë kanë qenë në ngjyrë të bardhë si rrepat ose vjollcë. Karrotat ngjyrë portokalli që njohim sot, janë rezultat i një mutacioni gjenetik që ktheu lëkurën ngjyrë vjollcë të karrotës në një portokalli të ndezur. Në botë numërohen 20 lloje karrotash, ndaj nuk është çudi që ato t’i gjejmë në ngjyra të ndryshme.

5. Karrotat e gatuara janë më të mira se ato të gjalla

Procesi i gatimit të karrotës ndihmon në çlirimin e një sasie më të madhe të beta karotenit. Nëse ha karrotën të gjallë atëherë merr vetëm 3% të kësaj substance të domosdoshme, por kur karrota është e gatuar dhe e ngrohtë, merr 40% të beta karotenit. Për kuzhinierët karrotat janë një bekim por edhe një mallkim. Karrotat janë të pabindshme. Ato mund ta ëmbëlsojnë ose hidhërojnë së tepërmi një pjatë dhe mund t’i ndryshojnë shijen siç ndodh edhe me limonin. Karrotat mund t’i përdorësh si për gatimet me kripë ashtu edhe ato të ëmbla, me një rezultat fantastik!

6. Karrotat kanë burimin më të pasur të beta karotenit
Beta karoteni është një element i nevojshëm që u jep frutave dhe perimeve atë pigmentin e verdhë dhe portokalli që më pas transformohet në vitaminën A që është shumë e nevojshme. Beta karoteni ndoshta nuk të ndihmon të shohësh shkëlqyeshëm në errësirë, por ndihmon me shikimin, forcon sistemin imunitar dhe përmirëson shëndetin e lëkurës.

7. Karrotat kanë fara

A të ka shkuar ndërmend që karrotat kanë fara? Epo ja që kanë. Karrota vetë nuk prodhon një farë tradicionale. Ajo është rrënja e lules së karrotës. Procesi i rritjes së karrotës zgjat dy vjet. Ajo që ne njohim si perime vilet në vitin e parë. Nëse e lëmë karrotën nën tokë edhe në vitin e dytë, atëherë përveç perimes do të marrim edhe lulen me farat e karrotës.

8. Karrotat kanë sheqer
Nëse kishe vendosur që të hiqje dorë nga sheqeri duke ngrënë perime të shëndetshme siç është edhe karrota, mirë bën por duhet të dish që karrota përmban katër lloj sheqernash- sukroza,glukoza,ksyloza dhe fruktoza. Për fat të mirë, ëmbëlsia e karrotës nuk rrit nivelin e karbohidratit në të, ndaj mund ta shijosh më së miri. Sepse përveç sheqernave merr një dozë të mirë me vitamin A, C,K, B6 si dhe magnez, kalcium, fibër dhe potas.

Vlerat e karrotës

Vlerat shëndetësore dhe ushqimore të karrotës janë fantastike duke nisur që nga ulja e kolesterolit deri tek parandalimi i humbjes së kujtesës. Një nga përfitimet e rëndësishme të karrotës është edhe fakti që mbrojnë sytë nga simptoma të shkaktuara nga mungesa e vitaminës A. Megjithatë nuk duhet të keqkuptohemi, karrota përmirëson shikimin por nuk i shëron sytë nga ëmundjet ekzistuese! Ndër të tjera, beta karoteni që gjendet në shumë perime të tjera, por veçanërisht tek karrotat mbron sistemin nervor. Një studim i Harvardit tregoi se marrja e të paktën 50 miligramë beta karoten në ditë, vonon plakjen e trurit me 1 deri në 1.5 vjet.

A e dini se:

Karrota më e gjatë në botë u zbulua në vitin 2007 . Ajo ishte plot 5,839 metra e gjatë. Karrota më e rëndë në botë u zbulua në vitin 1998. Ajo peshonte 9 kilogramë. Një njeri konsumon mesatarisht plot 10,866 karrota gjatë gjithë jetës. Qyteti i Holtville në Kaliforni të Shtetet e Bashkuara është vetëshpallur Kryeqyteti i Karrotës në botë. Çdo vit, në Kaliforni mbahet festivali i Karrotës. Shekuj më parë, karrota është përdorur nga anglo-saksonët si përbërësi kryesor në pijet medicinale kundër çmendurisë dhe djallit. Elita Iraniane në vitet 1870 konsumonte karrota të zhytura në sheqer si një afrodiziak. Nëse sheh një karrotë në ëndërr, do të thotë që do të kesh begati dhe shëndet të mirë. Nëse personi që sheh në ëndërr karrotën është një vajzë, kjo do të thotë që ajo do të martohet shpejt dhe do të sjellë në jetë fëmijë trima

Karrotat si karburant! Shkencëtarët besojnë që karrotat do të përdoren si burim për karburantet bio në të ardhmen. Sipas tyre do të duhen 6000 karrota që makina të ecë 1.6 kilometra./AgroWeb.org