Sekretari organizativ i PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka deklaruar se partia e tij e ka gati kandidatin për president të Kosovës.
Ai tha se do të vendosin ta bëjnë publik atë në kohën kur të konkretizohet gara. Xhemajli shtoi se do të ishte e shëndetshme për skenën politike në Kosovë që posti i presidenti të mbetej në radhët e PDK-së duke qenë se Hashim Thaçi ishte pjesë e partisë së tyre, pa qenë nevoja të shkohet në zgjedhje.
“Situata është e rëndë sidomos pas shkuarjes në Hagë të disa prej drejtueseve. Është krijuar një boshllëk sidmos me presidentin dhe kjo ka krijuar një brishtësi në politikën kosovare. Ne jemi që të zgjidhet një president. Duhen 80 vota për të zgjedhur kryetarin. E kundërta e kësaj është me shkuar në zgjedhje. Ne do ta bëjmë të ditur kandidatin kur të na drejtohet dikush. Ramush Haradinaj ka paraqitur një kandidaturë por nuk e di në cilën mënyrë me e përkrah. Thaçi ka qenë prej partisë sonë. Do të ishte shumë e shëndetshme për skenën politike me thënë e keni pasur presidentin mbajeni postin”, ka theksuar Bajrush Xhemajli në një intervistë për ABC.
Ai tutje ka thënë se “nuk është e drejtë prej Haradinajt pozita ku na ka vënë. Ka pasur detyra të rëndësishme dhe vetë ka dhënë dorëheqjen për t’iu përgjigjur Hagës. Nëse na kërkojnë votën ne e kemi kandidatin tonë dhe besoj se na takon. Në tryezë do shohim pozicionet e secilit”.
“Ne e kemi një emër nga partia jonë por për atë çështje po themi se duhet të ulemi dhe të shikojmë. Ne e kemi si ofertë dhe kështu do të shikojmë si do të rrjedhin ngjarjet. Kandidati jonë është nga radhët e PDK. Është njeri me kredibilitet dhe mendoj se i plotëson ato që duhet të plotësojë një president. Duhet që partitë të komunikojnë. Emrin nuk e bëjmë publik se partia nuk e bën të ditur”, deklaroi tutje Xhemajli.