Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës dhe ish-kryetar i LDK-së, ka thënë se ka qenë afër që të bëhej kryeministër i Kosovës në vitin 1998, me bekimin e Presidentit Ibrahim Rugova. Sejdiu ka thënë se propozimi kishte ardhur nga vetë Rugova, pas zgjedhjeve të ’98-s, kur LDK-ja kishte fituar shumicën.
“Në pjesën e formimit të Qeverisë ishte paraparë që Kryeministër i Kosovës të jetë drejtpërdrejt në Kosovë. Propozimi i LDK-së, që kishte mandate më shumë dhe miratimi edhe i Rugovës në frymën e përgjithshme ka qenë, që unë të jem kryeministër i ri i Kosovës. Kjo është e ’98-shit”, ka rrëfyer Sejdiu.
“Ishte vendim dhe unë pranova me të gjitha sfidat që mund të vinin”, ka vazhduar ish-presidenti.
Por, vendim i i Rugovës që ai të bëhej kryeministër nuk ishte realizuar, për shkak të rrethanave politike të asaj kohe.
“Pastaj, u bënë disa lëvizje dhe Rugova më thirri në takim dhe më tha a të vjen keq, sepse kryeministri duhet të jetë nga LBD-ja. Jo thashë, nuk më vjen keq”, ka treguar Sejdiu.
Sejdiu ka rrëfyer edhe pjesën e organizimit të zgjedhjeve në atë kohë dhe kundërshtimet që kishin pasuar, e që si rrjedhojë në zonën e Drenicës kishte dështuar organizimi i këtyre zgjedhjeve.
Sejdiu ka treguar se si Kuvendi i mandatuar nga ato zgjedhje kishte miratuar dy ose tri rezoluta ku mbështetej lufta e UÇK-së, tekstin e të cilave e kishte shkruar vetë ai.
“Në atë kohë është bërë Kuvendi i Kosovës, i marsit ’98. Ka qenë një presion që të mos mbahen zgjedhjet. Me përjashtim të një pjese të Drenicës që nuk janë mbajtë zgjedhjet, në pjesë të tjera janë mbajtë. Është konstitutuar Kuvendi, është zgjedhur Idriz Ajeti kryetar i Kuvendit, janë nxjerrë dy tre rezoluta dhe e them pa modesti që teksti i tyre është teksti që unë e kam bërë dhe ka kaluar në Kuvend, që LDK dhe institucionet e Kosovës mbështesin luftën e armatosur të UÇK-së”, ka thënë Sejdiu në T7.