Avokati i kryetarit të Istogut, Haki Rugova, Besnik Berisha, ka njoftuar se seanca dëgjimore ndaj tij do të mbahet të shtunën.
Seanca mbahet në Gjykatën Themelore në Pejë.
“Për ata që kanë interesim, ju njoftoj se seanca dëgjimore tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake është planifikuar të mbahet nesër, në orën 10:00, në Gjykatën Themelore në Pejë”, shkroi Berisha në Facebook.
Sipas Berishës, “e vërteta nuk është ajo çfarë është shkruar e thënë nga Prokuroria dhe mbi atë nuk do të mund të ndërtohet drejtësia…!”
Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, u arrestua të premte. Ai do të përballet me drejtësinë, për dyshimet se në cilësinë e kryetarit të komunës i ka krijuar favore të mëdha financiare kompanisë “Ma Con”, pronë e vëllait të tij.
Siç ka mësuar KOHA, arrestimi i Rugovës së bashku me ish-nënkryetarin e Komunës, Lulzim Blakaj, e një zyrtar tjetër të Komunës, Faton Bujupi, lidhet me dhënien e disa parcelave të Komunës për shfrytëzim nga kompania “Ma Con”, të cilat janë shfrytëzuar për gurëthyes.