Një burrë i dyshuar hapi zjarr të mërkurën mbrëma në një kafene dhe në një sallë boulingu në Luiston, Maine, të Shteteve të Bashkuara, duke i vrarë së paku 16 njerëz dhe duke i lënduar dhjetëra të tjerë, raporton Associated Press.
Policia është duke e kërkuar të dyshuarin dhe i ka urdhëruar banorët të strehohen.
I dyshuari është identifikuar nga policia si Robert Card, i cili ishte trajnuar si instruktor i armëve të zjarrit në qendrën stërvitore të Rezervës Ushtarake të SHBA-së në Maine.
Sipas një dokumenti, të rishikuar nga Associated Press i cili i ishte dërguar oficerëve të sundimit të ligjit, Cardi ishte shtrirë në një qendër të shëndetit mendor për dy javë në verën e vitit 2023.
Dokumenti nuk ka ofruar të dhëna specifike për tretmanin apo gjendjen e tij.
Në dokument, po ashtu, thuhej se Card kishte raportuar se po dëgjonte zëra dhe se kishte kërcënuar se do shtinte me armë zjarri në bazën stërvitore ushtarake në Sako, Maine.
Zyra e sherifit i publikoi dy fotografi të të dyshuarit në faqen e vet në Facebook, ku shihej një sulmues duke u futur në një ndërtesë teksa e mbante lart pushkën. Autoritetet thanë se të shtënat nisën pak para orës 19:00 të mërkurën.

Dy zyrtarë të sundimit të ligjit thanë për Associated Press se së paku 16 persona u vranë dhe se ky numër pritet të rritet.
Ata thanë se edhe dhjetëra njerëz të tjerë janë plagosur. Zyrtarët nuk ishin të autorizuar për të folur publikisht për hollësitë e hetimit që po vazhdon, dhe folën për AP në kushte anonimiteti.